Misioni
i botimeve
NOA

Misioni i botimeve NOA është, të themi kështu, i trefishtë. Pjesa e parë dhe kryesore e misionit do të jetë promovimi dhe mirëmbajtja e trashëgimisë letrare të Teki Dërvishit. Presin për botim një numër i madh romanesh, dramash, tregimesh, poezish dhe esesh. Në një seri të veçantë do të botohet vepra publicistike e Teki Dërvishit.

Në vijim Shtëpia Botuese Noa do të përqendrohet edhe në përkthimin e drejtpërdrejtë të letërsisë nordike në gjuhën shqipe si dhe promovimin e saj në trojet shqiptare. Më vonë shpresojmë të kemi edhe përkthime nga shqipja në gjuhët nordike duke hapur kështu letërsinë shqipe në vendet nordike. Pjesa e tretë e misonit do të fokusohet në botimin e librave elektronikë dhe audio librave me qëllim të lehtësimit të qasjes në letërsinë shqipe në mënyrë digjitale nga shqiptarët kudo që ata ndodhen.

Një fillim i ngadaltë, por...

Projekti "Botimet Noa" është planifikuar mjaft gjatë dhe dëshira jonë ka qenë që në vitin 2020 të botojmë së paku një libër të Teki Dërvishit, një libër të përkthyer nga danishtja dhe një audio libër. Viti 2020 shënon nëntë vjetorin e vdekjes së Teki Dërvishit, e numri 9 është mjaft i rëndësishëm në veprën e tij, sidomos në kryeveprën Bregu i Pikëllimit që përbëhet prej nëntë dramash. Bregu i Pikëllimit do të jetë libri i parë që do të botohet nga Botimet Noa. Numri 9 është gjithashtu numër i shenjtë që sjell fat në mitologjinë nordike, e tradita nordike – dhe letërsia në veçanti – do të jetë një prej shtyllave mbi të cilën do të qëndrojë veprimtaria botuese e Botimeve Noa.

Për shkaqe objektive (Covid-19) ne jemi vonuar paksa, e megjithatë do t'ju njoftojmë me kohë për ecurinë e projektit nëpërmjet faqes sonë. Shpresojmë që ky fillim paksa i ngadaltë do të shndërrohet në një sukses të vërtetë. Ambiciet dhe vullneti nuk mungojnë.

Blerta Dërvishi Karahoda
CEO, Botimet NOA

Gjuhë të vogla – letërsi e madhe

Nisur nga numri i folësve, si gjuha shqipe ashtu edhe gjuhët nordike janë gjuhë të vogla, gjë që shumë herë vështirëson depërtimin e shkrimtarëve te një publik më i gjerë. Shpeshherë përkthimet nga gjuhët e vogla bëhen me ndërmjetësimin e ndonjë gjuhe më të madhe dhe kjo medoemos bën që vepra e përkthyer të largohet dhe më shumë nga origjinali. Autori i parë që do te përkthehet nga danishtja do të jetë filozofi Søren Kierkegaard.

Testamenti
i humbur

Nëntë vjet pa Tekiun, e dielli i ndajmuzgut ende vezullon në qelqin e dritares së tij, atje majë bregu, duke krijuar iluzione tekanjoze si në një pasqyrë, errtas. Më këqyrin me ngulm ata sy të qelqtë e të thellë si humnera. Me një qortim të butë e të përmbajtur. E mirë pat thënë Herr Nietzsche: Kur e këqyr humnerën, edhe ajo të këqyr. Më këqyri Mjeshtri. Për këtë nuk dyshoj. E mandej a më tha apo m'u bë se më tha: "Nëntë herë vera kah dera. Nëntë herë më harruan". Nëntë herë nuk u gjet një Funes i Borgesit me kujtesë të fortë. Një amnezi mund të zgjasë. Për shembull, mund të zgjasë edhe nëntë vjet. Nëntë rrathë infernoje e purgatori do të kenë bërë edhe Dante e Beatriçe, por mjaft për këtë. Dua të flas për testamentin e humbur. Njerëz jemi. Njëherë e humbëm. Nëntë vjet humbje. Siç është zakon, atë që më kot e kërkojmë në largësi, e kemi para hundëve. Kështu e gjetëm atë që, duke gënjyer veten tonë, e pandehëm si të humbur. Por këtu e tutje s'do të ketë vend për arsyetime. Sepse, siç do të thoshte Kundera, nuk ka më keq sesa të tradhtosh testamentet. Atëherë, t'ia nisim...

V.K.

Fondacioni TD

Botimet NOA dhe Fondacioni "Teki Dërvishi" do të veprojnë ndaras. Shtëpia botuese NOA do të përkujdeset për përmbledhjen dhe botimin e veprës së Teki Dërvishit, por njëkohësisht do të botojë edhe autorë të tjerë. Fondacioni Teki Dërvishi do të fokusohet në menaxhimin e trashëgimisë letrare të Teki Dërvishit dhe do të ketë web faqen e vet të cilën do ta ndajmë me ju sapo të jetë gati.

Botimet NOA
Rr. Mehmet Gradica, h. 7, nr. 8
10000 Prishtinë, Kosovë

Dorëshkrimet mund t'i dërgoni në formë elektronike si PDF. Dorëshkrimit duhet t'i bashkëngjitet një biografi e shkurtër dhe një përshkrim i shkurtër i dorëshkrimit.

Për momentin nuk pranojmë dorëshkrime.

Botimet NOA Buletin

njoftime mbi ecurinë e projekteve

TOP